Tërheqje muskulore për Federico Dimarcon. Në nisje të pjesës së dytë ndaj Napolit, mbrojtësi i majtë u detyrua të dilte nga fusha e lojës si pasojë e një dëmtimi, teksa përgjatë ditës së Hënë, klubi i Interit ka dhënë detaje mbi gjendjen fizike të lojtarit në fjalë.
Klubi kampion në fuqi i Italisë, bën të ditur për opinionin public, se Dimarco ka pësuar një tërheqje muskulore në kofshën e djathtë, e si pasojë, në vijimësi, do të jetë nën monitorimin e vazhdueshëm të mjekëve, teksa do të kryhen të tjera analiza të detajuara.
Vetë Interi nuk ka dhënë shpjegime mbi kohën e rikuperimit të italianit, por sikurse bëjnë me dije mediat matanë detit, Dimarco parashikohet të mungojë deri në 3 javë.
Kjo do të thotë, se mungesa e mëngjarashit përgjatë ditëve të ardhshme, mund të kthehet në një problem për Interin, duke qenë se do të luhen disa ndeshje të rëndësishme, mes tyre, edhe dy duelet në Champions League ndaj Feyenoordit.
Në rrethana si këto, trajneri i Interit, Simone Inzaghi është në emergjencë në krahun e majtë të mbrojtjes, teksa Darmian, Carlos Augusto, apo edhe Zaleëski janë gjithashtu të dëmtuar. I ndodhur në një situatë të tillë, nuk përjashtohet mundësia që trajneri Inzaghi të ndryshojë edhe skemën e lojës, duke e bërë atë të përshtatshme për lojtarët që ka në dispozicion. Nga 3-5-2 që është skema aktuale, Interi mund të kalojë në 4-4-2. Federico Dimarco pritet të kthehet në dispozicion të Interit përgjatë ditëve të fundit të muajit Mars.