Gleison Bremer është një nga lojtarët kryesorë që Interi kërkon të transferojë në merkaton e verës. Që pas merkatos së janarit, zikaltërit kanë nisur bisedimet me mbrojtësin e qendrës, për ta bindur atë që të bashkohet me kampionët në fuqi të Serisë A.
Për transferimin e 25 vjeçarit, klubi me bazë në Milano mund të bëjë gjithashtu edhe ndryshime në brendësi të skuadrës. Nuk përjashtohet shitja e ndonjërit prej mbrojtësve të tjerë që Interi ka në dispozicion, në mënyrë që të krijohet hapësirë për Bremer.Kjo do të thotë se Stefan De Vrij, Milan Skriniar, apo Alessandro Bastoni duhet të hapë rrugën për mbërritjen e brazilianit. Duke u bazuar këtu në raportimin e mediave italiane, mund të jetë De Vrij ai të mund të largohet nga 19 herë kampionët e Italisë, duke marrë parasysh faktin se i skadon kontrata në verën e vitit 2023 dhe mes palëve nuk ka ndonjë lëvizje konkrete për të rinovuar marrëveshjen.
Që prej 2018-tës pjesë e Torinos, përgjatë kohëve të fundit, Bremer është kthyer në një ndër lojtarët më të kërkuar në merkato, aty ku një sërë skuadrash me peshë të kontinentit interesohen për të marrë shërbimet e tij. Megjithatë, për momentin, më tepër vendosmëri po tregon Interi. Mbetet për t’u parë në vijimësi nëse zikaltërit do arrijnë të sigurojnë ose jo shërbimet e mbrojtësit të qendrës.