Interi ka vendosur çmimin e shitjes së kartonit të Denzel Dumfries. Mbrojtësi i krahut të djathtë ishte një ndër lojtarët më të lakuar edhe përgjatë merkatos verore që lamë pas, mirëpo atëherë nënkampionët e Italisë kërkonin rreth 45 mln euro për të shitur kartonin e tij. Megjithatë, kur nga ajo kohë kanë kaluar vetëm pak muaj, çmimi i futbollistit tashmë është rritur në disa miliona më tepër.
Sikurse raportojnë mediat italiane, Interi kërkon të paktën 60 mln euro për Dumfries, një shifër e konsiderueshme kjo që do e ndihmonte shumë Interin të konsolidonte disi edhe aspektin ekonomik. Madje, ky është edhe faktori kryesor që gjigantët italianë duan të bëjnë këtë shitje, ashtu sikurse kanë vepruar më herët edhe me Ashraf Hakimin, apo edhe Romelu Lukakun. Aktualisht, nuk konsiderohet edhe shumë e arsyeshme që shitja të kompletohet në afatin kalimtar të dimrit, por mundësitë janë shumë të mëdha që operacioni të konkretizohet në verën e 2023-shit.
Sa i përket këtij sezoni, Interi do shpresojë deri në fund për titullin kampion dhe drejtuesit e klubit nuk preferojnë që të ndryshojnë organikën e skuadrës, në mënyrë që të mos ketë luhatje të performancave në fuhsën e lojës. Kjo është arsyeja kryesore që 19 herë kampionët e Italisë duan ta bëjnë shitjen pikërisht në verë.
Kontrata e mbrojtësit të djathtë me Interin përfundon në 2025-tën, ndërsa me zikaltërit është duke kaluar sezonin e tij të dytë. Sa i përket klubeve që kanë treguar interes për Dumfires deri në këtë fazë të sezonit, ato kryesisht janë nga Premier League dhe fjala është për Chelsea, apo Manchester United. Sidoqoftë, deri në fund të sezonit, pritet të ketë të tjera zhvillime mbi çështjen në fjalë.