Interi konfirmon se Romelu Lukaku do rikthehet tek Chelsea në fund të sezonit. Një gjë të tillë e ka deklaruar Drejtori Sportiv i klubit, Giuseppe Marotta, cili është treguar i drejtpërdrejtë në përgjigjën e tij, kur është pyetur mbi temën në fjalë.
“Huazimi i Lukakut ishte vetëm për një sezon, deri në 30 Qershor. Pavarësisht asaj që ai do jepte në fushën e lojës, në fund, sulmuesi do rikthehet edhe një herë tjetër në Londër. Ky ka qenë një sezon i paprecedentë dhe këtu i referohem Kupës së Botës. Në këtë kontekst, sa i përket futbollistëve të dëmtuar, kemi përjetuar probleme të ndryshme, ashtu sikurse edhe klubet e tjera”, ka theksuar ndër të tjera Marotta.
Rikthimi i Lukakut në “San Siro” nuk ka shkuar aspak brenda pritshmërive. Që në nisje të sezonit, belgu u penalizua nga një dëmtim muskulor dhe prej asaj kohe nuk ka arritur të kthehet në versionin e tij më të mirë, ndonëse herë pas here ka dhënë ndonjë shkëndijë.
Në 18 ndeshje të ka luajtur në të gjitha kompeticionet, sulmuesi i qendrës ka shënuar vetëm 5 gola, 2 prej tyre në Champions League dhe 3 në Serie A.
Thënë ndryshe, e ardhmja e Lukakut mbetet në ajër, sepse edhe në radhët e Chelsea, një vend në formacion shihet me shumë dyshim. Blutë e Londrës thuajse janë transformuar si skuadër dhe nuk dihet nëse teknku Graham Potter do e përfshijë 29 vjeçarin në planet e tij, apo do kërkojë një sulmues tjetër.