Pas 6 vitesh mungesë Inter i rikthehet sot Champions League-ës me një festë të jashtëzakonshme të planifikuar në San Siro. Përballë Tottenhamit, Luciano Spalletti do të drejtojë zikaltërit për të parën herë në Evropë pas një prej mungesave më të gjata të historisë së klubit në kompeticionin më madhor të kontinentit. Kualifikimi në Champions League ndezi mjaft entuziazëm për tifozerinë dhe ambientin e Interit, por ky fillim sezoni duhet thënë se ka qenë zhgënjyes. Si fillim shorti aspak me fat i vuri zikaltërit në Grupin B me Barcelonën, Tottenhamin dhe PSV-Eindhovenin. Më tej zhgënjimet në kampionat me Sassuolon, Torinon e së fundmi me Parmën kanë trazuar jo-pak motivimin e grupit.
Lëndimet e D’Ambrosios, Martinez dhe Vrsaljkos komplikuan ndjeshëm alternativat, ndërsa në sulm Mauro Icardi nuk ka shënuar ende për këtë sezon. Problemet muskulore për argjentinasin i kanë ulur rendimentin, por Spalleti shpreson që mbrëmja e tij e parë në Champions League të jetë frymëzuese mjaftueshëm për të përmbysur situatën. Pikërisht për sitautën, Spalletti është treguar i vetëdijshëm për problemet në organikë dhe sidomos në ecurinë e këtij sezoni. Brozovic nuk po e kryen mirë rolin e mesfushorit, ndërsa krahëve po u mungon shpejtësia dhe aftësia për të mbështetur sulmin. Spalletti e ka justifikuar me mungesën e formës së individëve, por që përballë një sfide të tillë si kjo me Tottenhamin në Champions ai këmbëngulë se mund të risjellë entuziazmin dhe motivimin për të dalë nga ky tynel. Mbetet për t’u parë!