Ndonëse fitoi vetëm me rezultatin 1-0 ndaj Benficas, me lojën dhe me rastet e ndëtruara, Interi i drejtuar nga Simone Inzaghi, ka bindur edhe disa prej figurave më emblematikë të futbollit italian, e një prej tyre është Arrigo Sachi, ish-trajneri i Milanit të famshëm të viteve 80-90-të.
Në një deklaratë mediatike, Sachi është shprehur se Interi po i bën lojës një interpretim ndryshe nga filozofia e zakonshme italiane.
“Interi që u pa në pjesën e dytë ishte fantastik. Unë nuk kam parë ndonjëherë një skuadër italiane që të dominojë ndaj një portugezeje në atë mënyrë. Ata vazhduan të sulmonin, edhe kur shënuan gol dhe këtë po e bënin me këmbëngulje të. Sa më tepër kontrollon topin, kundërshtarët kanë më pak mundësi për të të bërë dëm. Kjo ishte një qasje që zakonisht nuk ndodh me skuadra italiane.”
Më tej, Sachi ka thënë se Interi është duke luajtur me të vërtetë një futboll europian dhe meritat për këtë i shkojnë trajnerit Simone Inzaghi. Sipas ish-teknikut të kombëtares italiane, nëse skuadra zikaltër vazhdon me këto ritme, atëherë do të jetë problem për çdo ekip të kontinentit që do të sfidohet në fushën e lojës.
Në fund, Sachi ka dhënë edhe një këshillë për Inzaghin, për të cilin ka thënë se duhet të ketë më tepër besim në idetë e tij, sepse bazat janë shumë të forta dhe mjaft premtuese.