Interi gjen akordin për Pavard

Sport

Interi e nisi sezonin me një fitore të pastër 2-0  kundër Monzës, një sinjal i parë pozitiv drejt një edicioni ku “zikaltërit” synojnë titullin e 20-të kampion. Pas ndeshjes Inzaghi nuk nguroi të kërkonte përforcime dhe menjëherrë klubi i’u përgjigj. Benjamin Pavard mund të konsiderohet një futbollist i Interit. Mediat Në Itali raportojnë se është gjetur dakordësia me Bajernin të Mynihut mbi bazën e 30 milion eurove, plus bonuse të ndryshëm. Francezi, kampion i botës në 2018-ën do të nënshkruajë një kontratë 5 vjecare nga e cila do të përfitoj 4 milion euro në sezon.

Nëse nuk shfaqen probleme të pa llogaritura, atëherë pritet që 27 vjecari të jetë në Milano që këtë të mërkurë për t’iu nënshtruar më pas vizitave mjekësore, një process rutinë që i paraprin firmës mbi kontratë.  Mundësitë janë të mëdha që Benjamin Pavard të jetë pjesë e skuadrës që në ndeshjen e javës së dytë kundër Cagliarit. “Zikaltërit” kaluan një përvojë të hidhur me Samardzic , i  cili pasi zhvilloi vizitat mjekësore nuk u transferua tek Interi për shkak të mos dakordësisë mes klubit dhe babait-menaxher të lojtarit, por në këtë rast nuk duket se do të ketë probleme dhe Pavard mund të konsiderohet përforcimi i rradhës për nënkampionët e Europës.

Mbrojtësi pasi debutoi si profesionist me fanellën e Lille, spikati në Gjermani si pjesë  e Stuttgart përpara se Bajerni ta afronte në 2019-ën për 35 milion euro. Me bavarezët ai luajti në 163 ndeshje duke fituar ndër të tjera 4 tituj kampion dhe një Uefa Champions League.