Interi fitues i Kupës, Juventusi e mbyll sezonin pa trofe

Sport

Interi është fitues i Kupës së Italisë për të 8-tën herë në histori. Në finale, zikaltërit fituan 4-2 përballë Juventusit, përballë rivalëve të tyre historikë. Një trofe të tillë, kampionët në fuqi të Serisë A, e kishin fituar në sezonin 2010/11-të, plot 11 vite më parë.

Në Olimpico, kur kishin kaluar vetëm 7 minuta lojë, Nicolo Barella, me një gjuajtje nga jashtë zonës, realizoi një gol spektakolar, duke lënë të palëvizur edhe portierin Perin.Pavarësisht përpjekjeve në pjesën e parë, bardhezinjtë nuk mundën të ishin dot efektivë, ndërsa një gjë të tillë do e bënin në të dytën. Konkretisht në minutat 50 dhe 52, të besuarit e Massimiliano Allegrit e përmbysën rezultatin me 2 gola të shpejtë, falë finalizimeve të Alex Sandros dhe Vlahoviç.

Megjithatë, Interi nuk ishte dorëzuar ende. Në të 80-tën, Hakan Çalhanoglu shndërroi në gol një penallti të fituar nga Lautaro Martinez. Pas këtij momenti, gjithçka u rikthye në ekuilibër dhe për të gjetur një fitues, koha e rregullt nuk mjaftoi, me skuadrat që iu drejtuan kohës shtesë, aty ku gjithçka foli për zikaltërit.

Në të 9-tën minutë të shtesës së parë, Interi fitoi një penallti dhe këtë herë ishte Ivan Perisiç që shënoi. Kroati është një nga lojtarët më në formë të zikaltërve këtë sezon dhe një gjë të tillë e vërtetoi 3 minuta pasi shënoi nga pika e bardhë. Gjuajtja e tij në limite të zonës, përfundoi në këndin më të largët të portës, duke mos i dhënë asnjë mundësi portierit Perin për të reaguar. Nuk ndodhte që prej vitit 1997 që Interi të shënonte 2 gola në kohën shtesë në një finale të Kupës. Në pjesën e mbetur, juventusit u treguan të pafuqishëm të rikthyeheshin në lojë. Për herë të parë që nga sezoni 2010/11, Juvetnusi e mbyll një edicion pa asnjë trofe të fituar.

Kjo ishte fitorja e 3-të radhazi e zikaltërve përballë bardhezinjve. Fillimisht i mposhtën në finalen e Superkupës, më pas në ndeshjen e kampionatit dhe së fundi në finalen e Kupës. Personazhi që meritën më të madhe për këtë ecuri, quhet Simone Inzaghi, trajneri i Interit. 46 vjeçari është kthyer në një makth më vete për Juventusin, sepse tashmë ka fituar 4 finale radhazi ndaj torinezëve. Dy herë ia ka dalë me skuadrën që drejton aktualisht dhe dy herë të tjera kur ishte në krye të Lazios.