Kualifikimi me shumë vuajtje i Interit në çerekfinale të Kupës së Italisë, tregoi se skuadra e Simone Inzaghit ka disa probleme shqetësuese. Përballë një kundërshtari si Parma, që militon në Serie B, sfida e luajtur në “San Siro” nuk pritej të shkaktonte aq shumë dhimbje koke për ekipin zikaltër.
Ndonëse fituan 2-1, duhet thënë se deri në minutën e 88-të, Interi ishte i eliminuar, por ishte goli i Lautaro Martinez që e shpëtoi ekipin nga Milano nga një dalje e turpshme nga Kupa. Më pas, në shtesë, Açerbi i dha fitoren të zotëve të shtëpisë.
Sidoqoftë, pavarësisht kualifikimit, në kampin zikaltër nuk mund të ndihen të lumtur, sidomos trajneri Simone Inzaghi. Ekipi i drejtuar prej tij, tregoi se ka probleme të luajë me rotacione dhe jo me formacionin bazë. Mungesa e lojtarëve titullarë, tregoi se Interi e ka mjaft të vështirë të fitojë, qoftë edhe me kundërshtarë që janë të një niveli mesatar, apo më të ulët se kaq.
Në kushte si këto, në kampin e nënkampionëve të Italisë, është e domosdoshme që futbollistë si Marcelo Brozoviç, Romelu Lukaku, Hakan Çalhanoglu, apo Nicolo Barella të rikthehen sa më shpejtë të jetë e mundur nga dëmtimi.
Mirëpo, duket shumë e vështirë që lojtarët në fjalë të jenë të gatshëm për ndeshjen e fundjavës ndaj Veronës, e vlefshme për javën e 18-të të Serie A. Nisur nga një situatë e tillë, 19 herë kampionët e Italisë duhet të zbresin edhe një herë tjetër në fushë pa senatorët e tyre. Mirëpo, edhe një herë tjetër, Interi është i detyruar të fitojë për të shlyer njëkohësisht edhe gabimin e sfidës së kaluar ndaj Monzas në transfertë, ku barazuan 2-2.
Trajneri Inzaghi shpreson që lojtarët e dëmtuar të jenë gati për ndeshjen e Superkupës ndaj Milanit, në 18 Janar.