Interi gjen fitoren e dytë radhazi në kampionat dhe të katërtën në 5 ndeshjet e fundit. Në javën e 22 të Serie A, zikaltërit triumfuan 4-0 në fushën e Leçes, një ndeshje, të cilën e dominuan kryekëput. Në minutën e 6, Frattesi kaoi miqtë në epërsi, pas një pasimi mjaft të mirë nga Marcus Thuram. Pastaj, në të 39-tën, Interi shënoi edhe golin e dytë, me anë të Lautaro Martinez. Kapiteni i skuadrës kampione në fuqi të Italisë, duket se e ka lënë pas formën e dobët dhe tani i është kthyer normalitetit, duke u kthye në liderin e skuadrës me golat që realizon. Lautaro tashmë është bërë golashënuesi i dytë më i mirë i huaj i Interit në Serie A, duke parakaluar kështu Mauro Icardin me 111. Vetëm Stefano Nyers qëndron përpara argjentinasit në këtë aspect, me 133 finalizime. Në pjesën e dytë, vend për të shënuar do të kishte edhe për Denzel Dumfries, bashkë me Mehdi Taremin. Sa i përket hollandezit, Dumfries po përjeton një sezon ëndrrash. Madje, nuk është gabim të thuhet se ky është momenti më i mirë i karrierës së tulipanit, i cili deri më tani, ka shënuar 8 gola në të gjtiha garat, duke u kthyer në një prej golashënuesve më të mirë të ekipit zikaltër. Suksesi i arritur në fushën e Leçes, pati një rëndësi të veçantë edhe për trajnerin Simone Inzaghi, i cili ka festuar fitoren e tij të 200 në Serie A dhe këtë gjë e ka bërë duke luajtur më pak ndeshje sesa çdo trajner tjetër në historinë e kampionatit italian. Për të arritur 200 fitore, Inzaghit i janë dashur 332 ndeshje, duke kaluar kësisioj Massimiliano Allegrin me 338 ndeshje. Sa i përket klasifikimit, Interi është ngjitur në kuotën e 50 pikëve, 3 më pak sesa Napoli kryesues. Megjithatë, zikaltërit kanë një ndeshje më tepër për të rikuperuar, kështu që potencialisht mund të barazohen me skudrën e Antonio Contes.