Interi fiton ndeshjen direkte me Juventusin në Serie A dhe tashmë mund të konsiderohet pa rivalë në rrugën drejt titullit kampion. Sfida e luajtur në San Siro, e vlefshme për javën e 23 të kampionatit Italian, përfundoi me rezultatin minimal 1-0 për skuadrën zikaltër. Madje, edhe goli mund të konsiderohet një dhuratë për Interin, duke qenë se mbrojtësi Federico Gatti realizoi autogol në portën e tij.
Kjo ishte vetëm hera e tretë në historinë e kësaj përballjeje që Juventusi shkaktonte autogol në pjesën e parë ndaj Interit. Për herë të fundit, diçka e tillë kishte ndodhur në 26 Mars të vitit 1950, atëherë kur Albertot Bertucelli shënonte pikërisht në portën e tij.
Sakaq, Interi e ka nisur në mënyrë të përkryer vitin 2024 dhe për këtë, statistikat nuk gënjejnë. Në 6 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet deri më tani në këtë fillim viti, Interi ka regjistruar po kaq fitore, diçka që ka ndodhur vetëm për të tretën herë në historinë e klubit. Bëhet fjalë për vitet 1943 dhe 2007.
Si pasojë e këtyre shifrave, Interi duket I pandalshëm, të paktën në Itali dhe duket gjithashtu shumë e vështirë që një skuadër tjetër të ndalë dominimin e djemve të drejtuar nga Simone Inzaghi. Në 22 javë të luajtura, Interi kryeson me 57 pikë, 4 më tepër sesa Juventusi I vendit të dytë. Mirëpo, nuk duhet të harrojmë gjithashtu se ekipi zikaltër ka një ndeshje më tepër për të rikuperuar, atë ndaj Atalantës, kështu që në rast të një tjetër fitoreje, atëherë diferenca me vendin e dytë do të shkonte në plot 7 pikë.
Në përfundim të derbit të Italisë, trajneri Simone Inzaghi u shpreh I kënaqur me performancën e skuadrës së tij. Madje, tekniku zikaltër shtoi më tej se nëse nuk do të kishte qenë për disa pritje të rëndësishme të portierit kundërshtar, Shezni, atëherë, rezultati do të kishte qenë më I thellë dhe më bindës.
Nga ana tjetër, tekniku I Juventusit, Massimiliano Allegri, dukej gati-gati I pajtuar me humbjen, duke thënë se Interi është një skuadër e ndërtuar për titullin kampion këtë sezon, duke shtuar më tej se për të përballuar ndeshje të tilla, ekipi I tij ka nevojë për më tepër eksperiencë. Po ashtu, Allegri theksoi edhe një herë tjetër se objektivi kryesor I Juventusit është kualifikimi në Champions League për sezonin tjetër dhe për këtë duhen përveshur mëngët, sepse Milani po shfaqet kërcënues.