Interi e ka hedhur pas krahëve barazimin me Bolognan dhe është rikthyer menjëherë në rrugën e fitoreve në Serie A. Ndaj Empolit në shtëpi, skuadra zikaltër ka fituar me rezultatin 3-1, në atë që ishte ndeshje e vlefshme për javën e 21 Serie A.
Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, teksa episodet më të rëndësishme ndodhën në të dytën. Kur nga rikthimi në fushë kishin kaluar 10 minuta, Lautaro Martinez shënoi një gol të jashtëzakonshëm nga jashtë zonës, duke i dhënë avantazhin ekipit të tij. Sulmuesi i qendrës, është bërë golashënuesi i dytë i huaj më i mirë në historinë e Interit në Serie A, me 111 finalizime, duke barazuar kësisioj edhe bashkëkombasin e tij, Mauro Icardi. I vetmi që qëndron përpara në këtë drejtim, është vetëm Stefano Nyers, me 133 gola.
Për t’u rikthyer tek ndeshja, golin e dytë, e shënoi Denzel Dumfries, në të 79-tën. Hollandezi po përjeton një sezon fantastic në aspektin personal, teksa, në 25 ndeshje që ka luajtur në të gjitha kompeticionet, ka shënuar 7 gola dhe ka dhënë 2 asiste për shokët e skuadrës. Me këto shifra, mbrojtësi i djathtë, është duke konkukruar me sulmues të ndryshëm në Serie A.
Më tej, kur nga finalizimi i Dumfries, kishin kaluar vetëm 4 minuta, Interi do të ndëshkohej pikërisht nga një lojtar i shtëpisë. Sebastiano Esposito, i huazuar tek Empoli deri në fund të sezonit, ngushtoi diferencën në rezultat, duke rikthyer një fije shprese për miqtë. Por, gjithçka do të merrte fund, kur një minutë nga fundi i kohës së rregullt, Marcus Thuram shënoi tretin për Interin, gol që vulosi edhe fatin e takimit të ndeshjes.
Në këtë mënyrë, zikaltërit janë ngjitur në kuotën e 47 pikëve, 3 më pak sesa Napoli kryesues. Mirëpo, kampionët në fuqi të Italisë, kanë mundësinë e mirë të barazohen me pikë me jugorët e Italisë, për shkak të një ndeshjeje të prapambetur në calendar, atë me Fiorentinën.