Interi fiton me vuajtje në javën e 11 të Serie A. Në shtëpinë e tyre, zikaltërit pritën skuadrën e Venezias, dhe në fund, arritën një fitore të vuajtur me rezultatin 1-0, rezultat që duhet ta mbronin me të gjitha forcat deri në çastin e fundit. Golin e vetëm të ndeshjes e realizoi Lautaro Martinez, në minutën e 65. Kapiteni i Interit është duke e fituar pak nga pak formën e tij më të mirë, duke u treguar sërish vendimtar me kampionët në fuqi të Italisë. Në limite të shtesës, në San Siro do të kishte tension, sepse Venezia barazoi ndeshjen, por goli u anullua për një prekje të topit me dorë, duke rikthyer sërish qetësinë në anën e kampit vendas. Për Interin, kjo ishte fitorja e 7-të dhe e katërta në 5 javët e fundit. Si pasojë, kampionët në fuqi, janë ngjitur në vendin e 2 të tabelës së klasifikimit në kuotën e 25 pikëve, 1 më pak sesa Napoli kryesues. Në fund të takimit, në konferencën mediatike, trajneri Simone Inzaghi, u tërhoqi vëmendjen lojtarëve të tij, duke thënë se nga aksionet e ndërtuara duhen shënuar më shumë gola dhe saktësia përpara portës të jetë më e madhe. Në javën së 12, Interi do të luajë ndaj Napolit në shtëpi, ndeshje që do të vendosë së cila prej skuadrave do të udhëheqë kampionatin.