Interi fiton me rezultat të ngushtë, arritje historike për ndeshjet në transfertë

Sport

Gjashtë fitore radhazi në Serie A për Interin. Në javën e 20-të, zikaltërit mposhtën minimalisht 1-0 Venezian në transfertë. Goli i vetëm i sfdiës u shënua në minutën e 16, duke krijuar idenë se zikaltërit do të shënonin edhe më shumë se kaq, e duke marrë parasysh gjithashtu që po luanin edhe ndaj një ekipi modest. Megjithatë, ky ishte rasti që pritshmëritë nuk u përputhën me realitetin. Gjithësesi, në fund, për ekipin e drejtuar nga Simone Inzaghi, të rëndësishme ishin vetëm 3 pikët dhe ato u arritën me sukses.

Po ashtu, suksesi ndaj Venezias shënoi një arritje domethënëse për Interin. Për herë të parë në historinë e klubit në Serie A, Interi ka fituar 6 ndeshje radhazi në transfertë pa pësuar asnjë gol të vetëm. Kampionët në fuqi të Italisë, janë mbrojtja e dytë më e mirë e kampionatit, me vetëm 15 gola të pësuar. Më mirë në këtë drejtim ka bërë vetëm Napoli, me vetëm 12 gola të pësuar.

Pas këtyre rezultateve pozitive, Interi është ngjitur në kuotën e 43 pikëve në Serie A dhe për momentin është në vendin e dytë, pas Napolit. Megjithatë, duke marrë parasysh që zikaltërit kanë dy ndeshje më tepër në dispozicion për të luajtur, me Fiorentinën dhe Bolognan dhe nëse i fitojnë të dyja, atëherë, ata do të ngjiteshin në vendin e parë, dy pikë mbi Napolin.