Interi fiton me lehtësi, Inzaghi ka një mesazh për drejtuesit përpara derbit me Milanin

Sport

Interi e ka hedhur pas krahëve disfatën ndaj Lazios dhe është rikthyer menjëherë tek fitorja. Në takimin e javës së 4 të kampionatit, zikaltërit triumfuan lehtësisht ndaj Cremoneses me rezultatin 3-1 në shtëpi.

Edhe pse dëmtimi i Romelu Lukakut mund të ketë shkaktuar një ndjenjë pasigurie në radhët e nënkampionëve të Italisë, një gjë e tillë nuk u reflektua në asnjë moment në fushën e lojës. Në lidhje me këtë takim, trajneri Simone Inzaghi kishte vendosur të bënte një ndryshim në repartin sulmues, duke ulur në stol argjentinasin Lautaro Martinez dhe nga minuta e parë preferoi të luante me Edin Dzekon dhe Joaquin Correan.

Kyi  fundit ia shpërbleu në maksimum besimin trajnerit, duke shënuar golin e parë të sfidës në minutën e 12-të. Më pas, në të 38-tën, Nicolo Barella do të shënonte një gol shplodhës për sytë. Mesfushori nuk u mendua dy herë në asistimin e Hakan Çalhanoglu dhe provoi fluturimthi, me topin që përfundoi në fundin e rrjetës.

I ardhur në fushë në minutën e 55-të, në të 76-tën, Lautaro Martinez finalizoi edhe golin e tretë për Interin. El Toro e ka nisur në mënyrë të përkryer sezonin, teksa për herë të parë në Serie A ka mundur të përfshihet në të 4-ta ndeshjet hapëse të sezonit, duke realizuar 3 gola dhe po ashtu ka dhënë një assist.

Golin e vetëm të miqve e shënoi Okereke, i cili me një gjuajtje të përkryer nga jashtë zonës, la të palëvizur portierin Handanoviç, por që gjithësesi është një finalizim që do vlejë vetëm për statistikë.

Me këtë fitore, Interi tashëm ngjitet në kuotën e 9 pikëve dhe tashmë pret me qetësi derbin ndaj Milanit.

Në fund të sfidës, trajneri Simone Inzaghi u shfaq shumë i kënaqur nga performance e skuadrës së tij. Megjithatë, italiani nuk harroi të dërgonte një mesazh për drejtuesit e Interit, duke thënë se skuadra që ai drejton ka nevojë për një qendër mbrojtës.