Interi fiton aktin e parë ndaj Atletico Madrid

Sport

Interi ka fituar aktin e parë të 1/8-tave të UEFA Champions League ndaj Atletico Madrid. Ndeshja e luajtur në San Siro përfundoi me rezultatin minimal 1-0 me golin e vetëm të shënuar nga Marco Arnautoviç në minutën e 79 të sfidës. Përveç zotërimit të topit që e pati në masën 55%, nuk është gabim të thuhet që skuadra e Simone Inzaghit e dominoi kundërshtarin në të gjitha aspektet e lojës.

Për këtë mjafton të përmendim këtu që Interi ndërtoi në total 19 raste për gol, nga të cilat, 5 ishin gjuajtje në drejtim të portës. Nga ana tjetër, Atletico krijoi vetëm 7 mundësi shënimi, por asnjë goditje nuk shkoi në katërkëndëshit. Në këtë mënyrë, kjo është vetëm hera e dytë në Champions League për Interin që nuk pranon asnjë gjuajtje në portë. Për herë të fundit, diçka e ngjashme kishte ndodhur në 22 Nëntor të 2006-tës ndaj Sportingut të Lisbonës. Kaq mjafton për të thënë se të Martën mbrëma, prapavija e ekipit zikaltër u kthye në një mur të vërtetë për Atleticon.

Më tej, kjo ishte fitorja e 9-të radhazi për Interin në të gjitha kompeticionet, diçka që ka ndodhur vetëm për herë të parë me në krye trajnerin Simone Inzaghi. Një ecuri kaq e mirë për skuadrën zikaltër, për herë të fundit kishte ndodhur nga Shkurti, e deri në Prill të 2021-shit, atëherë kur drejtohej nga Antonio Conte.

Mirëpo, asgjë nuk ësthë mbyllur. Pavarësisht suksesit të italianëve në aktin e parë, gjithçka do të vendoset në aktin e dytë, që do të luhet në 13 Mars në Estadio Metropolitano, atje ku do të përcaktohet në mënyrë përfundimtare se cila prej të dyja ekipeve do të presë biletën drejt fazës çerekfinale të UEFA Champions League.