Interi eliminohet nga Kupa e Italisë

Sport

Interi ka marrë shuplakën e parë të sezonit. Zikaltërit janë eliminuar nga Kupa e Italisë, pasi janë mposhtur me rezultatin 2-1 në shtëpi nga Bologna, duel i vlefshëm për raundin e 1/8-tave. Një moment i rëndësishëm dhe gati-gati vendimtar, rezultoi minuta e 65, teksa Lautaro Martinez gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Që prej kohës kur është bërë pjesë e Interit, në sezonin 2018/19, Lautaro ka humbur 2 penallti përballë Bolognas, më tepër sesa ndaj çdo kundërshtari tjetër. Si pasojë, për të parë një fitues, në San Siro nuk mjaftoi koha e rregullt, por gjithçka shkoi në kohën shtesë.

Ndonëse kaluan të parët në avantazh, me anë të Carlos Augustos, miqtë, arritën të përmbysnin rezultatin në pjesën e dytë të shtesës. Autorët e golave për skuadrën e drejtuar nga Thiago Motta ishin Beukema dhe Ndoye, që të dy të asistuar nga Zirkzee.

Me Interin që tashmë do të luajë në një kompeticion më pak, duke u përqendruar në Serie A, dhe Champions League, nga ana tjetër, vijon sezoni pozitiv për Bolognan. Kjo është hera e parë që nga sezoni 2012/13, që skuadra nga Emilia Romagna kualifikohet përtej raundit të 1/8-tave në Kupë, teksa në 12 raundet e mëparshme, ishte eliminuar plot 11 herë. Në çerekfinale, skuadra kuqeblu do të sfidohet me Fiorentinën.

Ndonëse sezoni nuk ka shkuar ende në gjysmën e tij dhe është herët për të dalë në përfundime, gjithësesi, ka vend për të thënë se ecuria e Bolognas duket premtuese. Vendi i 4 në kampionat, e bën skuadrën e Bolognas dhe tifozët e saj, të ëndërrojnë, se në sezonin e ardhshëm, mund të luajnë futboll të Champions League.