E ardhmja e Benjamin Pavard shihet larg Bayernit të Mynihut dhe dy klube kanë nisur konkurencën mes tyre për të siguruar shërbimet e mbrojtësit të djathtë. Fjala është për Interin dhe Barcelonën, që në merkaton e verës, do përpiqen në maksimum për të siguruar shërbimet e anësorit të prapavijës.
Kontrata e francezit me kampionët e Gjermanisë përfundon në verën e ardhshme dhe mundësitë shihen minimale që Pavard të rinovojë edhe për disa vite të tjera me klubin bavarez. Në kushte si këto, Pavard është duke kaluar muajt e fundit me fanellën e 6 herë kampionëve të Europës, teksa në verë, Bayerni do jetë i gatshëm të dëgjojë ofertat për të, në mënyrë që mbrojtësi të mos rrezikojë të largohet me parametra nga Allianz Arena.
Inter ii kërkon shërbimet e lojtarit në fjalë, duke qenë se nga radhët e klubit italian, pritet të largohet Denzel Dumfrid, e gjithashtu i sigurt është edhe largimi i Milan Skriniar. Në rrethana të tilla, Pavard konsiderohet si një mbrojtës, i cili përveçse luan në krahun e djathtë, gjithashtu, në rast emergjent, mund të luajë edhe në qendër të repartit të prapavijës.
E njëjta gjë vlen edhe për Barcelonën. Nga ana e katalanasve është larguar Hector Bellerin dhe trajneri Xavi Hernandez kërkon një zëvendësues në atë pozicion. Për momentin, vlera e kartonit të Pavard në merkato cilësohet deri në 35 mln euro dhe mbetet për t’u parë në vijimësi se cili nga klubet e sipërpërmendur do përfitojë shërbimet e 26 vjeçarit.