Fitorja 4-0 e Interit ndaj Salernitanës në transfertë, e vlefshme për javën e 7-të, është një tregues se skuadra e Simone Inzaghit është gati për mesjavën, gati për Champions League. Në dy sfidat e fundit, tekniku zikaltër është përpjekur të bëjë disa ndryshime në rreshtim, që në fakt, i kanë mundësuar ekipit të jetë më i freskët.
Në ndeshjen e ardhshme, të Martën mbrëma në Champions, nënkampionët e Europës, do të presin në shtëpi kampionët e Portugalisë, Benfican, ndeshje e vlefshme për javën e 2-të të Grupit D. për këtë 90 minutësh të “San Siro-s”, Inzaghi, nuk do të mund të bëjë llogari vetëm me Arnautoviç, i cili do të jetë jashtë fushave për rreth dy muaj, për shkak të një dëmtimi muskulor dhe Frattesit, i cili pritet të kthehet në ndeshjen e radhës në kampionat.
Në lidhje me të Martën mbrëma, Inzaghi është duke përpiluar edhe 11-tëshen titullare që do të zbresë në tapetin e blertë. Mediat italiane kanë zbuluar se 47 vjeçari ka paraprakisht gati një ide për mënyrën sesi do të përballet me “shqiponjat”. Lautaro Martinez dhe Marcus Thuram janë të padiskutueshëm në repartin e sulmit. Për shkak të 4 golave të realizuar në fundjavë ndaj Salernitanës, kapiteni Lautaro pritet të jetë më në formë se asnjëherë më parë.
Barella, Çalhanoglou dhe Mkhitaryan do të rreshtohen në mesfushë, teksa krahët do të mbështeten nga Dimarco dhe Dumfries, megjithëse edhe Darmian mbetet një mundësi e fortë. Në qendër të prapavijës, pritet të vendoset treshja, Bastoni, Açerbi dhe De Vrij, kurse Yann Sommer do të jetë mes shtyllave.
Benfica është një kundërshtar mjaft i njohur për Interin në Champions League. në sezonin që lamë pas, zikaltërit dhe “shqiponjat” u përplasën në çerekfinale të kompeticionit. Triumfues dolën italianët, të cilët e vijuan rrugën e tyre deri në finalen e Stambollit.