Bologna befason Interin në javën e 24 të Serie A. Në “Stadio Renato Dall’Ara”, sfida u mbyll me rezultatin 1-0 për të zotët e shtpisë, me golin që u shënua në minutën e 76-të nga Riçardo Orsolini. Kjo ishte fitorja e dytë radhazi e Bolognas ndaj Interit në shtëpi, diçka që ndodhi për herë të parë që nga viti 1999-të. Ekipi I drejtuar nga Thiago Motta, regjistron 4 fitore në 5 ndeshjet e fundit dhe si pasojë klasifikohet në vendin e 7-të në kuotën e 35 pikëve, çka I jep të drejtën të ëndërrojë edhe për një vend në Kupat e Europës.
Nga ana tjetër, kjo ishte humbja e 7-të sezonale e Interit në kampionat. Zikaltërit kanë humbur më shumë ndeshje, sesa çdo ekip tjetër I 5 vendeve të para të renditjes. Ndeshjet në transfertë, janë kthyer në një pikë të dobët të skuadrës së Simone Inzaghit për këtë sezon futbollistik. Në 12 takime të luajtura jashtë shtëpie, Interi ka regjistruar 5 fitore, 5 humbje dhe vetëm dy barazime. Nga 36 pikë të mundshme në total, ekipi zikaltër ka grumbulluar vetëm 17-të, më pak se gjysmën e tyre.
Më tej, të besuarit e Simone Inzaghit kanë shpërdoruar kësisoj një tjetër mundësi për të mbetur të vetëm në vendin e dytë, ndërsa tashmë kanë shkuar në kuotë të njëjtë pikësh, 47, po aq sa rivalët e Milanit.
Pas përfundimit të sfidës, tekniku Inzaghi është shprehur se skuadra e tij e nisi mjaft keq ndeshje dhe ashtu e vazhdoi përgjatë gjithë pjesës së parë. Numri një I stolit të Interit, I bëri thirrje ekipit që të jetë më I përqendruar në takimet e ardhshme.