Interi barazon me Bolognan në shtëpi

Sport

Interi ngec në shtëpi. Ndaj Bolognas, në atë që ishte një ndeshje, e vlefshme për javën e 19 të Serie A, e prapambetur për shkak të angazhimit në Superkupë, zikaltërit nuk kanë mundur të fitojnë dot përpara publikut të tyre. Në San Siro, gjithçka përfundoi me rezultatin 2-2, me të dyja ekipet që morën nga një pikë secila. Megjithatë, një pikë e tillë, ka lënë një shije të hidhur në radhët e kampionëve në fuqi të Italisë, sepse për t’u afruar pranë Napolit në krye, duhet me çdo kusht të ishte arritur fitorja.

Të parët që kaluan në epërsi ishin miqtë me anë të Castros në minutën e 15. Mirëpo, katër minuta më vonë, Dumfries barazoi rezultatin për vendasit. Atëherë kur u mendua se skuadrat do të shkonin drejt dhomave të zhveshjes me nga një gol të shënuar, Lautaro Martinez nuk e kishte thënë ende fjalën e fundit. në minutën e 46, argjentinasi e dërgoi topin në rrjetë, i asistuar mjaft mirë nga Dimarco.

Megjithatë, në pjesën e dytë, Interi nuk e mbajti dot të njëjtin ritëm, teksa në minutën e 64, Bologna arriti të barazonte me anë të Holm. Më pas, pavarësisht përpjekjeve, rezulatati nuk ndryshoi më, ndonëse zikaltërit patën një mundësi mjaft të mirë me Taremin, por ky i fundit, u tregua i pasaktë vetëm pak metra larg portës. Goli i pësuar nga Holm, i ishte i 12-ti i pësuar në shtëpi nga Interi në shtëpi këtë sezon në Serie A. Statistika është shqetësuese nëse bëjmë një krahasim me një vit për parë, kur përgjatë të gjithë kampionatit në shtëpi, Interi pësoi vetëm 11 gola.

Më tej, duke marrë parasysh atë që ndodhi në pjesën e dytë të finales së Superkupës, ku Interi pësoi 3 gola nga Milani, duke mos arritur të performonte dot në nivelin e duhur, pak a shumë e njëjta gjë ka ndodhur edhe ndaj Bolognas. Një gjë e tillë, ka ngritur një shqetësim në kampin zikaltër, për uljen e rendimentit të skuadrës në pjesën e dytë, pasi është diçka që ndodhi në dy ndeshje të njëpasnjëshme.

Veç të tjerash, dallohet qartë se skuadra e drejtuar nga Simone Inzaghi e ndjen shumë mungesën e Hakan Çalhanoglu, i cili nuk është gati për shkak të një dëmtimi muskulor. Mesfushori do të jetë edhe disa javë të tjera jashtë fushës së lojës, kështu që zikaltërit mund të vijojnë të hasin vështirësi.

Në ndeshjen e radhës në Serie A, Interi do të luajë sërish në shtëpi, teksa vizitohet nga Empoli, kurse Bologna vizitohet nga Monza.