Interesim nga gjigantët! Dortmundi, Shalke dhe Valencia pas Xhakës

Sport

xhaka 550x344

Merkatoja e janarit pritet të jetë e nxehtë për Taulant Xhakën, i cili ka përfunduar në radarët e disa klubeve të mëdha europiane.

Sipas mediave gjermane dhe atyre spanjolle, te mesfushori i Kombëtares kanë hedhur sytë Borusia e Dortmundit dhe Shalke në Bundesligë, si dhe spanjollët e Valencias.

Xhaka vlerësohet nga klubet në fjalë jo vetëm për aftësitë e tij në shkatërrimin e aksioneve kundërshtare, por edhe për faktin që mund të luajë pa problem në disa pozicione.

Gjithnjë referuar informacioneve që vijnë nga mediat e huaja, për momentin nuk ka mbërritur ende një ofertë konkrete në adresë të Bazelit.

Vlera e 25-vjeçarit llogaritet në rreth 15 milionë euro, kjo edhe për shkak të faktit që në korrik i madhi i vëllezërve Xhaka e rinovoi deri në vitin 2021 kontratën me kampionët e Zvicrës.

Pikërisht shifra e lartë e kartonit mund të jetë një pengesë për transferimin e tij, ndërkohë që një peshë të rëndësishme pritet të ketë edhe vetë dëshira e futbollistit për t’u larguar nga klubi ku luan prej 15 vjetësh./panoramasport