Interesi i klubeve të mëdha, Dortmundi kërkon 150 mln euro për yllin e skuadrës

Sport

Borussia Dortmund kërkon 150 mln euro për Jude Bellingham. Është kjo shifra që klubi verdhezi ka vendosur për yllin e talentuar anglez. Thuajse prej një viti tashmë 19 vjeçari është kthyer në qendër të vëmendjes. Klube me peshë të kontinentit i kanë kthyer radërat nga fantazisti në fjalë dhe duan që në fund të këtij sezoni të sigurojnë shërbimet e tij.

Një klub që ka treguar interes mjaftueshëm është Real Madrid. Luka Modriç, apo edhe Toni Kroos ndodhen drejt perëndimit të karrierës së tyre, e pikërisht për këtë arsye kampionët në fuqi të Europës duan të mos gjenden të papërgatitur kur ai moment të vijë. Ndonëse përforcimet në një pozicion të tillë nuk kanë munguar, si me Cavavingan, apo Tchouamenin, Los Blancos duan që të kenë një tjetër djalosh të talentuar në radhët e tyre.

Më tej, nuk mbetet prapa as Liverpool. Edhe në edicionin actual, The Reds e kanë ndier mungesën e një mesfushori, e madje një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe trajneri Jurgen Klopp. Për këtë arsye, në fund të sezonit, gjigantët e Premier League pritet të që nisin ofensivën për Bellingham.

Një tjetër klub i madh anglez që interesohet për talentin e Borussia Dortmund është edhe Chelsea. Me pronarët e rinj në krye, Blutë e Londrës nuk po kursehen shumë me shpenzimet dhe Bellingham është objektivi i radhës. Në radhë është edhe Manchester United, që synon të përforcohet akoma më tepër në mesfushë.

Duke nisur pikërisht nga një interes kaq i lartë, Dortmundi e di shumë mirë se britaniku nuk ka për të qëndruar gjatë në Signal Iduna Park. Në të tilla rrethana, për ta lënë të lirë lojtarin, verdhezinjtë, kërkojnë plot 150 mln euro. Bellingham u bashkua me klubin gjerman dy vite më parë, për vlerën e 25 mln eurove, ndërsa kontrata e tij përfundon në verën e 2025-tës.