Inter përgënjeshtron lajmin se Icardi kreu vizitat mjekësore te Reali i Madridit

Sport

icardi 3

Drejtuesit e Interit kanë nxituar të martën të përgënjeshtrojnë lajmet që u përhapën nga Daily Express dhe Diariogol se Mauro Icardi kishte kryer tashmë vizitat mjekësore te Reali i Madridit. Argjentinasi u tha se kishte pranuar kalimin te Los Blancos në një transferim të beftë dhe po kështu edhe klubi zikaltër, ndërsa kampionët e Evropës thuheshin se kishin marrë përsipër kostot e një operacioni prej më shumë se 100 milionë eurosh. Por e gjitha kjo ka qenë thjesht një “fake news”. Kapiteni zikaltër i cili ka realizuar 18 gola këtë sezon, mbetet emri më i spekuluar i merkatos. Në Spanjë e konsiderojnë lojtarin ideal për Realin e Madridit kjo në një periudhë kur edhe pse super-kampionë Evrope dhe Bote, ata ende nuk kanë shpenzuar asgjë krahasuar me Barcelonën për të përforëcuar skuadrën. Te Interi është përfolur që prej muajit nëntor për një klauzolë prej 110 milionësh, por e cila nuk figuron në kontratën aktuale. Megjithatë Icardi dhe drejtuesit e Interit duken të pa-lëkundur për ndryshime. 24-vjecari mbetet themeli i skuadrës dhe lojtari më i çmuar. Kontratën që ka, argjentinasi e ka ripërtërirë më 7 tetor 2016-të, dhe vlen deri në vitin 2021. Zikaltërit thuhet se kanë patur dakordësinë e lojtarit për ta ri-diskutuar. Në këmbim të përfshijnë në të një klauzole prej 110 milionësh Icardi ka marrë premtimin e një page prej 7 milionësh në sezon, por ende nuk ka asgjë konkrete në këtë pikë, ndërsa spekulimet për një lëvizje të tij duket se do të vazhdojnë përgjatë gjithë janarit.