Inter në pritje të Barella dhe…

Sport

Merkato në Itali është absolutisht ndër më aktivet në Europë dhe skuadra si Inter apo Napoli vijojnë punën për t’u përforcuar, me dëshirën për t’u bërë rivalët kryesorë të Juventus për titullin kampion. Zikaltërit duket se janë pranë marrëveshjes për Nicolo Barellan, ndërsa janë në pritje edhe për transferimin e Edin Dzeko nga Roma. Sa i përket Barellas, Roma duket se është tërhequr nga tratativat e saj me Cagliarin, duke i lënë rrugë të lirë Interit për të sjellë në Milano talentin italian. Teksa pista ‘Lukaku’ mbetet ende më e diskutuara, tek Inter mendojnë edhe për largimet. Së fundmi për Mauro Icardin është krijuar një mundësi tjetër transferimi, tek skuadra e Napolit. Ekipi i drejtuar nga Carlo Ancelotti do ta pranonte me kënaqësi ardhjen e një sulmuesi të një profili si të Icardit. Për këtë arsye, mediat italiane raportojnë se presidenti De Laurentis po mendon ta joshë argjentinasin me një pagë prej 10 milionë eurosh në sezon. Mbetet për t’u parë nëse Interi do të pranojë të ulet në bisedime me një rival direkt si Napoli, por fakti që shitja e Icardit mund të garantojë edhe paratë për blerjen e Romelu Lukakut pa patur shtrëngime financiare nga ana e klubit, mund të shtyjë zikaltërit të dëgjojnë një propozim nga Napoli. Por të gjitha këto lëvizje do të ndodhin vetëm pasi Dzeko të gjejë marrëveshjen finale dhe firmën me Interin.