Inter mposht Cagliarin në Sardenjë, por Lukaku vuan koret raciste

Sport

Interi i Antonio Contes vazhdon rrugën e suksesit, teksa edhe pse mes vështirësive, arritën një fitore të rëndësishme 2-1 në transfertën me Cagliarin. Në Sardenjë pritej që sfida të ishte mjaft e luftuar dhe zikaltrit duket se i kishin marrë si duhet masat, me të dy sulmuesit, Lautaro Martinez dhe Romelu Lukaku që gjetën rrugën e rrjetës.


Lukaku ia doli të shndërronte në gol një penallti të fituar nga Stefano Sensi, por gjatë ekzekutimit, sulmuesit belg iu desh të përballej me diçka aspak të këndshme. Siç raportojnë mediat italiane, një pjesë e mirë e tifozerisë së Cagliarit që gjendej prapa portës, kanë vërshuar me kore raciste kundër sulmuesit të Interit, i cili në një moment kishte mbetur i habitur. Lukaku ia doli të shënonte dhe e kaloi këtë situatë pa shkaktuar polemika, të paktën për momentin.

Megjithatë, kjo sjellje e tifozëve të Cagliarit është diçka e përsëritur dhe me shumë gjasa mund të merren masa për ndeshjen e ardhshme nga komisioni i disiplinës. Një situatë të ngjashme në Sardenjë e përjetoi edhe Moise Kean në sezonin e shkuar, kur aktivizohej ende me Juventus.
Pas ndeshjes, shumë lojtarë të Interit, si Skriniar apo Brozovic ishin përpjekur t’u përgjigjeshin këtyre thirrjeve, ndërsa trajneri Antonio Conte u shpreh se Italia duhet të ecë përpara dhe më e pakta që tifozët mund të bëjnë, është të tregojnë respekt për ata që janë në fushë.
Për Lukakun gjithësesi aventura me Interin po shkon në mënyrën më të mirë në fushë, teksa numëron 2 gola në po kaq ndeshje të luajtura në ‘Serie A’. Ai u bë pjesë e ekipit milanez gjatë kësaj vere, ku për të marrë kartonin e tij nga Manchester United, Inter shpenzoi mbi 75 milionë euro.