Vërtetohet edhe një herë tjetër se Champions League është kompeticioni ku një ndeshje vendoset nga detajet. Kjo nuk mund të pasqyrohej dot më mirë, sesa në takimin Inter – Liverpool. Në San Siro, dueli i parë i raundit të 1/8-tave ka përfunduar me shifrat 2-0 për të kuqtë, të cilët pasi kishin mundur Milanin në fazën e grupeve, arritën të dilnin sërish fitues nga i njëjti stadium.
Pavarësisht se konsideroheshin favoritë ndaj zikaltërve, The Reds nuk arritën ta vërtetonin dot diçka të tillë në fushën e lojës. Ishin kampionët e Italisë ata që detyruan vizitorët të mos dilnin dot në lojën e tyre.
Megjithatë, në futboll, të luash mirë nuk është gjithçka, pasi është goli ai që është më vendimtar se gjithçka tjetër. E pikërisht këtë ngërç Interi nuk po arrinte ta zgjidhte dot, teksa si rrufe në qiellë të hapur, u ndëshkua fillimisht nga Roberto Firmino, i aktivizuar në fraksionin e dytë. Më tej, Mohamed Salah vulosi këtë duel, duke lënë këtë herë të palëvizur portierin Samir Handanoviç, duke qenë se topi pësoi një devijim në rrugë e sipër.
Në 50 ndeshje të luajtura me Liverpoolin në UEFA Champions League, Salah ka arritur të shënojë 33 gola. Padyshim një arritje historike. Statistikisht, në këtë drejtim, më mirë sesa egjiptiani, kanë bërë vetëm Cristiano Ronaldo dhe Lewandokwski. Konkretisht, CR7, në 50 takimet e para të luajtura me Real Madrid, shënoi 51 gola. Më tej, Lewandowski, në 50 sfidat e para me Bayernin, e ka dërguar 36 herë topin në rrjetë. Me fjalë të tjera, Salah është lojtari i 3-të që shënon më shumë gola në 50 ndeshjet e tij të para në Champions League me vetëm një klub.
Po ashtu, egjiptiani, bëhet lojtari i dytë që i shënon njëkohësisht Interit dhe Milanit brenda të njëjtit edicion në Uefa Champions League. Përpara tij, të njëjtën gjë e ka bërë Peter Crouch në edicionin 2011/12-të.
Me këtë fitore në transfertë, Liverpool është me një hap në çerekfinale, ndërsa ndeshja e kthimit në Anfield ndaj Interit do të luhet të martën e 8-të marsit.
Nazif Zylali
Tring Sport