Inter gjithnjë e më pranë Barellas, pengesë PSG dhe Milan

Sport

Interesimi i Inter për talentin Nicolo Barella nuk është diçka e re. Zikaltërit prej kohësh janë përpjekur të konkretizojnë negociatat me agjentin e lojtarit dhe përfaqësues të Cagliarit, por ditët e fundit akordi mes palëve duket të jetë më pranë se kurrë. Madje mediat italiane thonë se Barella ka gjetur marrëveshjen personale me drejtuesit e Interit, ndërsa tashmë pritet vetëm arritja e akordit me Cagliarin. 36 milionë euro mendohet të jetë oferta që zikaltërit do të bëjnë në drejtim të klubit nga Sardenja për kartonin e Barellas, shifër që do i shtohen edhe 4 milionë euro të tjera bonuse. Në marrëveshje thuhet se do të ketë edhe një klauzolë të veçantë që thotë se nëse Interi fiton titullin kampion apo ‘Champions League’-ën, atëherë bonusi që do i paguhet Cagliarit do të shkojë deri në 10 milionë euro. Megjithatë, skuadra nga Sardenja nuk nxiton, pasi për Barellan kanë shfaqur interesim të madh edhe Milan apo PSG. Tek Cagliari shpresojnë që për talentin 22-vjeçar të hapet një ankand, në mënyrë që të përfitohet sa më shumë nga shitja e tij. Nicolo Barella ka rënë jo pak në sy me paraqitjet e tij tek skuadra e Cagliarit dhe tek kombëtarja italiane dhe vlerësohet si një element i rëndësishëm për të ardhmen e futbollit italian. Vetë lojtari ka pranuar se është momenti për t’u transferuar tek një ekip i madh, por ka shtuar gjithashtu se pjesën më të rëndësishme të vendimit do ta vendosë edhe dëshira e familjes së tij.