Inter-Giroud, dakord deri në 2022-shin, por duhet bindur Chelsea

Sport

Interi ka marrëveshje me Oliver Giroud, por misioni tashmë është të bindet Chelsea që ta lëshojë. Sulmuesi francez, i nxjerrë praktikisht jashtë projektit të Frank Lampard në Londër, është gati të firmosë një kontratë prej 2 vjetësh e gjysmë me zikaltëerit, deri më 30 qershor 2022. Akordi është arritur pas një takimi që kanë pasur të enjten agjentët e tij, me drejtuesit e klubit milanez.
Problemi tani është gjetja e një marrëveshjeje me klubin që zotëron kartonin e sulmuesit kampion të botës. Në fakt, Giroud-it i skadon kontrata në fund të këtij sezoni dhe nga 1 korriku mund të vijë me parametër zero. Mirëpo Marotta dhe Ausilio po kërkojnë të shpejtojnë transferimin, në një kohë që blutë e Londtrës kërkojnë minimumi 8 milionë euro për ta lënë të lirë dhe s’duan të bëjnë asnjë tolerim, ndërkohë që zikaltërit ofrojnë 4. Negociatat pritet të vazhdojnë në ditët e ardhshme.
Ndërkohë që Interi, përveçse është në pritje të afrimit të Ashley Young që mund të firmosë të hënën, po punon edhe për një shkëmbim lojtarësh me Milanin, nga ku kërkon Franck Kessie kundrejt Matteo Politanos. “La Gazzetta dello Sport” raporton se dy klubet milanezë kanë pasur kontaktet e para për këtë operacion këmbimi. Kjo duke parë edhe se për zikaltërit është vështirësuar pista-Vidal dhe Kessie është një alternativë që i pëlqen trajnerit Conte për mesfushën. Aq më tepër kur lojtari nga Bregu i Fildishtë është i mërzitur me rolin e tij si rezervë te Milani.