Inter fiton betejën me Juventus dhe arrin marrëveshjen për Lukakun

Sport

Romelu Lukaku i përket Interit. Zikaltërit kanë fituar betejën e ashpër me Juventus për të arritur tek firma e sulmuesit belg, i cili kishte kërkuar prej kohësh kalimin tek kampionati italian. Fillimisht Lukaku u duk pranë transferimit tek Juventus, që në shkëmbim të tij, i ofroi Manchester Untied kartonin e Paulo Dybala. Mirëpo argjentinasi nuk arriti akordin personal me ‘djajtë e kuq’ dhe tratativat u ndalën. Interi përfitoi nga situata dhe arriti të bindë skuadrën angleze me një ofertë prej 70 milionë eurosh, plus 15 milionë të tjera që mund të vijnë në formë bonusesh. Romelu Lukaku ishte një nga dëshirat kryesore të merkatos për trajnerin Antonio Conte, i cili kishte këmbëngulur tek drejtuesit se sulmuesi belg ishte profili i duhur për ekipi zikaltër, pas përjashtimit nga skuadra të ish-kapiteni Mauro Icardi.

Me kompletimin e transferimit të Lukakut, Interi bëhet ndër skuadrat që kanë shpenzuar më shumë, pas blerjeve të tjera si Stefano Sensi dhe Nicolo Barella, që u belnë për 35 dhe 50 milionë euro. Drejtuesit e skuadrës italiane janë vënë në lëvizje edhe për të shitur lojtarë, ku veç Icardit, me valixhet gati është edhe Ivan Perisic, i cili nuk bën më pjesë në planet e trajnerit Conte. Shumë media në Itali, pas lajmit për blerjen e Lukakut, kanë nxituar ta cilësojnë Interin si skuadra pretendente për të ulur nga froni i kampionit në Itali, Juventusin. Bardhezinjtë nga ana tjetër mund të zhvendosen drejt objektivave të tjerë, por edhe për drejtuesit e Juventus, çështja e shitjeve mbetet një situatë delikate.