Marash Kumbulla, një nga të rinjtë më të vlerësuar në Serinë A, duket se tashmë ka ndezur edhe një duel meraktoje mes dy gjigantësh të Serisë A, si Juventus e Inter. Kumbulla i lindur në një familje shqiptare që banon prej vitesh në Peschiera del Garda, ka luajtur në të gjithë skuadrat e sektorit të të rinjve me Veronën. Mirëpo në një intervistë të dhënë për italianen “Corriere della Sera” ka pranuar se ka një poster në dhomën e tij të atij, që e konsideron si idhullin e vet: Giorgio Chiellinit, mbrojtësit qendor të Juventusit. “Kam adhuruar gjithmonë grintën dhe dëshirën e tij për t’u përmirësuar. Eshtë një luftëtar i vërtetë në fushë”, është shprehur Kumbulla.
Falë paraqitjeve të tij, talenti 20-vjeçar është bërë pjesë integrale e një ingranazhi thuajse perfekt te skuadra e Juric. Por si rrjedhojë ka tërhequr edhe vëmendjen e klubeve të mëdha. Drejtuesit e Hellasit janë duke përgatitur kontaktet për t’i oferuar mbrojtësit një opsion: të vazhdojë procesin e tij të rritjes graduale, duke pritur dhe duke vërjetur evoluimin e situatës së kampionateve evropiane për shkak të Coronavirusit. Apo ta lërë të lirë të largohet në një klub të madh.
Si pasojë e sezonit zhgënjyes të Diego Godin, Interi është skuadra e parë që ka hedhur hapa të rëndësisëhëm për Kumbullën. Për këtë arsye, drejtuesit zikaltër po përpiqen të shfrytëzojnë raportet e mira me klubin veronez, duke u ofruar 20 milionë euro, plus mundësinë për të rinovuar huazimet e të rinjve Salcedo dhe Dimarco. Nga ana tjetër, Juventusi, në këtë është disi i distancuar. Por në javët e ardhshme do të provojë të kapërcejë konkurrencën e zikaltërve, por edhe atë të Napolit e Fiorentinës që interesohen për mbrojtësin shqiptar.
Sipas asaj që ka bërë të ditur vetë Kumbulla në intervistën e fundit, ëndrra e tij është të luajë në Champions League. Mirëpo sipas burimeve afër klubit veronez, si ai, ashtu edhe familja nuk do t’i thoshin jo një tjetër sezoni në Verona. Aty ku drejtuesit e klubit, nëse lojtari do të konfirmonte cilësitë e tij, do të kishin mundësinë për ta shitur ndoshta edhe me shifra më të larta gjatë sezonit të ardhshëm.