Inter dhe Monaco pranë marrëveshjes për Keita Balde

Sport

Keita Balde
Në pritje të të rejave për Luka Modriç, tek Interi vazhdojnë punën edhe për t’u kompletuar në sulm. Candreva nuk ka patur ndonjë rendiment të lartë sezonin e kaluar, ndaj Ausilio po shqyrton mundësitë për të afruar një lojtar krahu, që të prodhojë shumë për skuadrën.
Keita Balde është zgjedhja e zikaltërve për këtë çështje. Futbollisti, i cili aktualisht luan me Monacon, e njeh mirë Serinë A, pasi është aktivizuar aty më parë edhe Lazion. Në fakt, Interi që në atë kohë kishte shfaqur interes për kartonin e senegalezit, por Lazio preferoi ta shiste drejt monegaskëve.
Verën e kaluar, Monaco shpenzoi 30 milionë euro për 23-vjeçarin, ndaj vështirë se drejtuesit e skuadrës nga principata do të heqin dorë nga lojtari për një çmim më të ulët se ky. Por diferencat me ofertën e Inter mendohet të jenë 4 milionë euro. Zikaltrit janë të gatshëm të paguajnë për Balde 26 milionë euro, të cilat do të shlyhen gjatë 2019-ës. Huazim me detyrim blerje mendohet të jetë formula e propozuar ana e Ausilios, por monegaskët kërkojnë shitje të menjëhershme për të paktën 30 milionë euro. Mediat italiane thonë se palët vazhdojnë të punojnë për të gjetur një marrëveshje, ndërkohë që Candreva ende nuk ka vendosur të ardhmen e tij.