Rikthimi i Romelu Lukakut nuk po shkon aspak sipas planit. Tek Interi duhet të presin ende. Sulmuesi do vazhdojë të jetë jashtë fushave të lojës dhe koha mbetet e papërcaktuar. Për belgun kishte shpresa që ai të ishte gati për takimin ndaj Udineses, por një gjë e tillë nuk ndodhi.
Po ashtu, mendohej se shtatlarti do grumbullohej për ndeshjen e kësaj fundjave ndaj Romës dhe do ishte në stol. Mirëpo, as kjo nuk do të ndodhë. Madje, Lukaku nuk do jetë as ndaj Barcelonës në mesjavë, një sfidë jetike për Interin në Champions League.
Në një kompeticion të tillë, pikët duhen me patjetër, për të mbajtur gjallë shpresën e kualifikimit. Pra, ndaj katalanasve, është sfida direkte, që në njëfarë mënyre, mund të caktojë edhe ecurinë e skuadrës zikaltër në Europë.
Këto dy ndeshje, trajneri i klubit me bazë në Milani, Simone Inzaghi duhet t’i besojë edhe një herë tjetër dyshes sulmuese, Lautaro Martinez dhe Edin Dzeko, mbështetur edhe nga Joaquin Correa. Romelu Lukaku mund të rikthehet përfundimisht në ndeshjen ndaj Sassuolos në transfertë, në atë që është edhe java e 9-të e Serie A.
Mirëpo, çfarë ka ndodhur në të vërtetë me sulmuesin, rikthimi i të cilit në fushën e lojës po vonohet gjithmonë e më shumë? Tërheqja muskulore në kofshën e majtë, rezultoi më problematike nga sa pritej. Struktura muskulore ngadalësoi rikuperimin atletik të futbollistit, të cilit nuk i mjaftoi as pauza e kombëtareve.
Duke marrë parasysh këto detaje, edhe stafi mjekësor i Interit nuk kërkon të nxitohet, sepse lojtari mund të rrezikojë ndonjë dëmtim tjetër më serioz. Për këtë arsye, Lukakut i është dhënë sa më shumë kohë në dispozicion, në mënyrë që dëmtimi të mbyllet plotësisht.