Inter/ 9 humbje në Serie A, sulmi lë në baltë skuadrën zikaltër

Sport

Ajo fitore e Interit me Napolin në “San Siro”, e vlefshme për javën e 16 të Serie A, në 4 Janar të këtij viti, u pa si një pikë kthese për skuadrën zikaltër, që mund t’I shkonte deri në fund garës për titullin kampion.

Mirëpo, pikërisht nga ajo fitore, ekipi I Simone Inzaghit nuk ka arritur të tregojë dot më qëndrueshmëri, të paktën në kampinat.

Kur aktualisht në Serie A, janë konsumuar 27 javë, Interi ndodhet në vendin e 3-të me 50 pikë, plot 21 më pak sesa Napoli kryesues.

Skuadra e drejtuar nga Simone Inzaghi ka pësuar 9 humbje, diçka që për zikaltërit e Milanos, po ndodh vetëm për të dytën herë në shekullin e 21 dhe për herë të parë që nga edicioni 2011/12. Ky rekord kaq negativ është një tregues I qartë, se 19 herë kampionët e Serie A, janë shumë larg asaj skuadre që tifozët ëndërronin të ishte në fillim të këtij edicioni futbollistik.

Interi I tanishëm mund të ketë shumë defekte, por një prej tyre, padyshim që është sulmi, që nisur nga të dhënat, ka lënë në baltë skuadrën zikaltër. Lojtarët e repartit të avancuar duken tërësisht jashtë formës dhe nuk po arrijnë ta nxjerrin skuadrën nga situata e ndërlikuar.

Edin Dzeko, duket se nuk është më ai I zakonshmi. Goli I fundit I boshnjakut me fanellën zikaltër në kampionat, është regjistruar ndaj Napolit, pikërisht në atë fitore 1-0 në datën 4 Janar. Romelu Lukaku, ndonëse është rikthyer nga dëmtimi, vijon të jetë në kushte mjaft të paqëndrueshme fizike, teksa rrugën e rrjetës, e ka gjetur vetëm 3 herë këtë sezon në Serie A.

Së shënuari duket sikur është ndalur edhe Lautaro Martinez, I cili, në 5 ndeshjet e fundit e ka gjetur rrugën e rrjetës vetëm dy herë. Në 3 rastet e tjera kur argjentinasi nuk ka shënuar, Interi është mposhtur.

Në një situatë si kjo, tifozët zikaltër janë të pakënaqur dhe përgjegjësia kryesore e një gjendjeje të tillë, I faturohet trajnerit Simone Inzaghi, të cilin nga shkarkimi, mund ta shpëtojë vetëm një ecuri e mirë në Champions League.