Iniesta e Alvesh: Kujdes Seviljen!

Sport

 

2015-08-11 barcelona - sevillia 2
Barcelona beson se mund të realizojë rekordin e fitimit të 6 trofeve në një sezon. Megjithatë pa nënvlerësuar Seviljen, me të cilën do të ndeshet sonte në Tbilisi, për Superkupën europiane, që transmetohet në Tring Sport duke nisur nga ora 20:45. Para sfidës, kapiteni Andres Iniesta beson se kampionët e Europës e kanë potencialin për të fituar edhe këtë trofe të sotëm, pas Champions League, titullit kampion dhe Kupës së Spanjës. Mirëpo paralajmëron: “E mbajmë mend sfidën e vitit 2006, kur Sevilja fitoi 3-0 me meritë. Të gjithë ata që mendojnë se do të jetë një shëtitje për ne, gabojnë rëndë. Ne e vlerësojmë si ndeshje të vështirë, që duhet ta përballojmë si të ishte një finale e madhe”. Spanjolli ka arritur ta ngrejë një herë në qiell Superkupën në vitin 2009, por synon ta bëjë sërish sot në ndeshjen numër 550 me katalanasit: “Tre trofetë e sezonit të kaluar na hapën dyert për të tjerë, si dy Superkupat e radhës dhe Kupa e Botës për klube. E dimë që nuk do të jetë e lehtë t’i fitojmë të gjashtë trofetë, por do të kërkojmë të nisim mirë që nga kjo sfidë, duke i dhënë vazhdimësi asaj që bëmë sezonin e kaluar. Jemi të lumtur që gjendemi në garë në të gjithë frontet, por duhet të përqendrohemi vetëm te Sevilja”.
Për Dani Alvesh, dueli i sotëm do të jetë një rikthim në të kaluarën, por tashmë me fanellën e Barcelonës. “Në vitin 2006 luaja kundër Seviljes dhe një nga gjërat që mësova atëherë është se një finale fitohet, duke luftuar gjithmonë. Në duele të tillë s’ka favoritë. Përballja me ish-skuadrën time është bërë krejt normale për mua. Sevilja ka qenë shtëpia ime, ku u rrita si lojtari, prandaj do t’i jep gjithmonë mirënjohës. Kujtimet mbeten, por kur topi nis të rrokulliset bëhet ndeshje si të tjerat”. Braziliani mund të jetë lojtari i parë në aktivitet që fiton 5 Superkupa, rekord që për momentin i takon Paolo Maldinit: “Nuk jam i emocionuar për një arritje të tillë, sepse ky është një sport skuadre dhe jam i motivuar për ta arritur këtë sukses bashkë me shokët. Barazimi me Maldinin është nder, por nuk mund të krahasohem me të. Ai ishte lojtar me të tjera cilësi”, ka përfunduar Alvesh.