Lëvizja e Andres Iniestas drejt Kinës raportohet tashmë si një çështje e mbyllur. Gazeta AS shkroi të martën se përfaqësuesit e kapitenit të Barcelonës kanë qenë të zënë duke përfunduar marrëveshjet që javën e kaluar, kur katalanasit vuajtën përmbysjen në Romë. Në një kohë kur emri i klubit kinez ende nuk bëhet me dije, gazetat spanjolle shkruajnë se tashmë është e sigurt se 33-vjecari do të largohet në fund të sezonit. Zyrtarizimi i kësaj ndarjeje do të kryhet pas finales së Kupës së Mbretit me Sevillan. Iniesta i vesh ngjyrat katalane që prej vitit 2000. Ai numëron rreth 700 ndeshje me Barcelonën dhe 130 me kombëtaren spanjolle.
Kampion Bote, Evrope dhe fitues i 29 trofeve me katalanasit, ai cilësohet si një nga mesfushorët më të jashtëzakonshëm që ka parë dhjetëvjeçari i fundit i futbollit. Kontrata e tij me Barçën ka qenë një çështje më vete në Camp Nou. Tifozët kanë dashur që ai të qëndrojë, por drejtuesit nuk i kanë ofruar më shumë se 1 vit, me një kontratë të mbushur me plot klauzola. Kështu alternativa më e mirë duket Kina, atje ku sipas gazetës AS Iniesta fiton të dtrejtën e administrimit të një sërë kampesh për zbulimin e talenteve dhe nga ana tjetër thuhet se klubi i ardhshëm do t’i blejë atij të drejtat e distribuimit të verës. Andres administron edhe kompaninë e të atit, Bodega Iniesta, e cila që prej vitit 1990 e deri më sot ka rritur eksportet deri në 1.2 milionë shishe në vit. Pra transferimi i tij mund të shihet edhe si mundësi biznesi.