Infantino: Rusia është gati për Botërorin!

Sport

infantino
Rusia është 100% gati për të pritur Botërorin. Për këtë është shprehur i sigurt presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili ka folur 1 javë përpara startit të turneut të shumëpritur ndërkontinental. Rusia do të mirëpresë 32 skuadrat dhe mijëra fansa nga 14 qershori deri më 15 korrik, për 64 ndeshje që do të luhen nëpër 12 stadiume të 11 qyteteve, duke përfshirë Moskën, St.Peterburgun apo Sochin. Infantino është shprehur i kënaqur me përgatitjet e bëra, duke thënë se gjithçka tashmë pret vetëm nisjen. “E gjithë bota do ta shohë, kur të shkelmohet topi i parë në ndeshjen midis Rusisë dhe Arabisë Saudite në ‘Luzhniki Stadium’. Cdokush do ta jetë i aftë të dëshmojë sesa të bukur janë stadiumi dhe sa mikpritëse është Rusia. Pa harruar as mënyrën sesi do të funksiojë organizimi. Do të jetë vërtet një përvojë madhështore”, ka deklaruar kreu i FIFA-s.

infantino
Ai është i vetëdijshëm se e presin jo pak sfida në këtë turne, si lufta kundër racizmit, apo përdorimi për herë të parë i teknologjisë VAR, por kjo nuk e frikëson. “Përkundrazi, e gjithë kjo atmosferë më gjallëron. Tifozët do të mbërrijnë në Rusi nga anembanë botës. Eshtë interesante të dish që pas rusëve janë amerikanët që kanë blerë numrin më të lartë të biletave, të ndjekur nga brazilianët dhe gjermanët. Më shumë se gjysmë e biletave janë shitur jashtë Rusisë…”. E të mendosh që në një moment dukej se tifozët nuk do të shkelnin në Rusi. Megjithatë, për ata që kanë synim që të shkojnë në Rusi për të bërë incidente, Infantino ka këshilluar që është më mirë të rrijnë në shtëpi.