Infantino kërcënon lojtarët: «Nuk do të luajë në botëror nëse… »

Sport

nukdotes

Presidenti i FIFA-s Gianni Infantino ka drejtuar një paralajmërim për të gjitha klubet e mëdha të futbollit që pak ditë më parë hodhën idenë e krijimit të një super-lige të re në Evropë. Planet e propozuara bëjnë fjalë për një kompeticion elitar mes klubeve më të mëdha të kontinentit, por duket se kjo gjë nuk i pëlqen FIFA-s. Gianni Infantino ka kërcënuar në njëfarë mënyre klubet duke shënjestruar lojtarët. “Lojtarët që do të përfshihen në këtë kompeticion nuk do të lejohen të marrin pjesë në Kupën e Botës” ishte deklarata e qartë e kreut të FIFA-s. Pak ditë më parë portali i njohur “Football-Leaks” zbuloi se planet për të krijuar një ligë të re futbolli ishin në faza të avancuara. Der Spiegel gjithashtu publikoi të dhëna ku përshkruhej plani i klubeve të mëdha të Evropës për të rivalizuar kompeticionet që organizohen nga UEFA. 16 klube thuhet se janë gati të nënshrkuajnë këtë muaj një deklaratë themelimi të kompeticionit që parashikohet të nisë zyrtarisht në vitin 2021. Megjithëse nga UEFA është këmbëngulur se nuk kanë asnjë dijeni për këtë gjë, deklarata e Infantinos tregon qartë se si janë gjërat. FIFA synon të krijojë një ligë më të gjerë mbarë-botërore për klubet dhe një Super-Ligë evrope mes klubeve më të mëdha, do të ishte një konkurrencë direkte për këtë plan, prandaj Infantino kërcënon me derën më prestigjioze që FIFA ka, Kupën e Botës, se si do të shkojnë gjërat, mbetet për t’u parë.