IndyCar, aksident i rëndë në garën e Poconos

Sport

pocono

Gara e famshme e Poconos në kategorinë Indy, ka parë të ndodhë një aksident mjaft i frikshëm fundjavën që lamë pas. Një kontakt mes Ryan Hunter-Reay dhe Robert Wickens, do të shkaktonte panik tek të gjithë të pranishmit në pistën e Poconos. Ai që e pësoi më rëndë ishte piloti kanadez Wickens, që bëri disa rrotullime 360 gradë, ndërkohë që makina e tij ishte në ajër, pas përplasjes së fortë me barrikadat mbrojtëse. Kontakti ishte aq i fortë, sa rrjetat rrethuese prej çeliku u shkatërruan në atë pjesë të pistës. Gara do të ndërprehej me flamurin e kuq, me mjekët që u vunë në ndihmë të pilotëve të përfshirë në këtë aksident të frikshëm.

indycar

Piloti kanadez, Robert Wickens, është raportuar disi i përhumbur kur është dërguar në spitalin më të afërt. Ai raportohet të ketë marrë fraktura në këmbë e duar, si edhe djegie në pjesën e kraharorit. Megjithatë, raportohet se gjendja e Wickens ka ardhur në përmirësim. Ndërkohë, pilotët e tjerë të përfshirë në aksident ia kanë dalë pa dëmtime të rënda. Sa i përket garës, ajo u fitua nga Alexander Rossi me makinën Honda të skuadrës Andretti Autosport, që regjistroi fitoren e tretë sezonale dhe të pestën në karrierë. Ai la pas vetes dy herë fituesin e kësaj gare, Will Power dhe veteranin Scott Dixon.