Ilkay Gundogan rinovon kontratën deri në vitin 2023!

Sport

Një nga dëshirat kryesore të kësaj vere për trajnerin Pep Guardiola është realizuar. Ashtu siç kishte kërkuar tekniku katalanas, Manchester City ka rinovuar kontratën me mesfushorin Ilkay Gundogan, i cili do të vijojë të jetë pjesë e kampionëve të Anglisë edhe për 4 vite të tjera. 28-vjeçari firmosi mbi kontratën që do ta mbajë të lidhur me ‘citizens’ deri në vitin 2023.
Vetë lojtari e kishte shprehur prej kohësh dëshirën për të vijuar karrierën në Manchester, teksa pas zyrtarizimit të marrëveshjes së re, pranoi se kjo do të jetë kontrata e tij e fundit afatgjatë në karrierë. Gundogan zbuloi se një nga arsyet kryesore që e bënë të rinovonte pa u menduar ishte edhe këmbëngulja e Pep Guardiolas. Mesfushori thotë se i pëlqen shumë të luajë nën urdhërat e trajnerit katalanas, nga i cili thotë se vazhdon të mësojë çdo ditë e më shumë.
Dëshira e madhe e klubit është të arrijnë tek trofeu i ‘Champions League’ dhe Gundogan beson se Manchester City-t i ka të gjitha mundësitë për ta arritur diçka të tillë. Për 28-vjeçarin kishin shfaqur interes disa skuadra të mëdha në kontinent, por vetë Gundogan kishte kërkuar rinovimin me ‘citizens’.
I pyetur rreth objektivave të së ardhmes, ai tha se klubi anglez kërkon të fitojë në çdo kompeticion që luan, por shtoi se për momentin, vëmendja e të gjithë skuadrës është tek fillimi i sezonit të ri të ‘Premier League’. Mesfushori u shpreh se pret që këtë vit, gjërat për Manchester City-n të jenë më të komplikuara se më parë, pasi veç Liverpoolit që mbetet rival kryesor, edhe skuadra si Tottenham apo Arsenal janë përforcuar ndjeshëm në merkato.