Real Madrid mund të ketë zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm në Champions League, teksa për të mbërritur deri në finalen e madhe, ka eliminuar skuadra si PSG, Chelsea, apo edhe Manchester City. Mirëpo, asgjë nga këto nuk do të kujtohet, nëse Los Blancos nuk ia dalin të fitojnë titullin në finalen e 28 majit ndaj Liverpool në Stade de France.
I këtij mendimi është Iker Casillas, legjenda e portës madrilène. “Çdo gjë ka qenë e veçantë këtë edicion. Të fitosh me përmbysje rezultati është një gjë spekatkolare, mirëpo tani ka ardhur momenti I të së vërtetës. Nëse nuk ia del të fitosh finalen, atëherë gjithçka bie poshtë. Pas këtij viti të mrekullueshëm, fitorja e titullit do ishte qershia mbi tortë. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë, askush nuk do e kujtojë se ç’ndodhi me PSG, Chelsea, apo Manchester City. Për të shkruar historinë dhe për ta bërë këtë vit futbollistik të paharrueshëm, atëherë, finalja duhet të mbyllet me një fund të lumtur”, ka thënë ndër të tjera 41 vjeçari.
Më tej, Casillas, ka komentuar edhe formën e jashtëzakonshme të Karim Benzema, I cili këtë edicion ka realizuar 15 gola në Champions League, duke e ndihmuar Realin të shkojë deri në finale. Ish-kapiteni I Merenguez ka thënë se vite më parë, Benzema ka qenë në hijen e lojtarëve si Cristiano Ronaldo, Kaka, Di Maria, apo Bale, por tashmë, francezi ka marrë përgjegjësi dhe po është kthyer në liderin e skuadrës. Nëse Benzema ngre titullin e Champions League në Paris, Casillas nuk ka dyshime se ai do jetë edhe fituesi I Topit të Artë.