Igor Tudor jep zyrtarisht dorëheqjen nga drejtimi i Lazios

Sport

Igor Tudor është tërhequr zyrtarisht nga drejtimi i skuadrës së Lazios. Kur e kishte marrë drejtimin e ekipit vetëm në muajin Mars, ndërsa në menjëherë sapo përfundoi sezoni futbollistik dhe nisi merkatoja e verës, Tudor kërkoi të largohej nga kryeqytetasit e Italisë.

“Lazio njofton se Igor Tudor ka dhënë dorëheqjen. Kompania e falenderon teknikun për punën e bërë përgjatë kësaj kohe dhe u uron atij më të mirat, qoftë në aspektin personal, ashtu edhe atë professional”, shkruhet në deklaratën zyrtare klubit të Lazios.

Sipas informacioneve, Tudor kishte mbetur i zhgënjyer nga drejtuesit e shoqërisë së kaltër, të cilët si fillim, i kanë premtuar merkato të shëndetshme, por mesa duket, më vonë, nuk e kanë mbajtur fjalën. Gjithashtu, një tjetër arsye e fortë që Tudor kërkoi të ndërpriste kontratën, ishte edhe largimi i mesfushorit Daichi Kamada, të cilin, tekniku e konsideronte thelbësor për vizionin e tij të lojës.

Në të gjithë këtë situatë, Tudor mbërriti në përfundimin se nuk duhet të ishte më trajner i Lazios, dhe diçka e tillë shkaktoi një rrëmujë të vërtetë në mjedisin e klubit të kaltër. Në kushte si këto, Presidenti Claudio Lotito, Drejtori Sportiv, Fabiani dhe vetë Tudor, zhvilluan një takim mes tyre, por që gjithësesi, fundi i nisur nuk u shmang dot. Tudor i qëndroi idesë së tij dhe dha dorëheqjen, ndonëse kishte edhe një tjetër vit në kontratë.

Ngjarje të tilla kanë shkaktuar pakënaqësi në radhët e tifozëve të klubit, të cilët nuk e kanë pritur aspak mirë këtë lëvizje të trajnerit dhe më pas, e kanë quajtur 46 vjeçarin si të pabesë.

Pas këtyre skenave, mbetet për t’u parë se ç’do të rezervojë fati në të ardhmen për trajnerin Tudor dhe Lazion.