Igor Tudor flet fjalët e para si trajner i Juventusit

Sport

Igor Tudor ka folur për herë të parë si trajner i Juventusit. Në daljen mediatike përpara ndeshjes ndaj Genoas, të vlefshme për javën e 30 të Serie A, Tudor ka dhënë përshtypjen e tij sa i takon pjesës së mbetur të këtij edicioni futbollistik.

“Nuk dua të flas për atë që ka ndodhur përpara meje. Jam këtu për të punuar fort dhe për të arritur objektivin që e dimë të gjithë. Detyra ime është t’i vendos lojtarët në një pozicion, që të japin më të mirën e tyre. Duhe t’i bëjmë gjërat mirë, ndërsa shpirti luftarak në fushën e lojës, asnjëherë nuk duhet të mungojë”, ka thënë Tudor, i cili do të përpiqet t’i instalojë skuadrës, pikërisht dëshirën për të dhënë maksimumin, që dukej sikur me trajnerin Thiago Motta, mungonte.

Më tej, kroati, është pyetur gjithashtu edhe për një nga lojtarët më të diskutuar të Juventusit përgjatë këtij edicini dhe jo vetëm; Dusan Vlahoviç. Në lidhje me situatën e serbit, tekniku ka thënë se Dusan është një futbollist mjaft i fortë, i cili mund të bëjë mirë, qoftë nëse luan me Kolo Muani, apo qoftë edhe nëse luan vetëm.

Teun Koopmeiners është gjithashtu i përfolur për formë jo të mirë dhe si një trasnferim jo i suksesshëm. Mirëpo, 46 vjeçari ka thënë se dëshira për të luajtur dhe për të dhënë më të mirën, është e dukshme tek të gjithë lojtarët.

Kur në Serie A janë luajtur 29 javë, Juventusi klasifikohet në vendin e 5 të renditjes me 52 pikë, një më pak sesa Bologna e vendit të katërt. Objektivi kryesor i Zonjës së Vjetër është të kualifikohet në çdo kusht në Champions League për sezonin e ardhshëm, sepse në të kundërt, do të rezultonte një vit totalisht i dështuar futbollistik.