Igor Tudor emërohet zyrtarisht trajner i Lazios

Sport

Igor Tudor emërohet zyrtarisht trajner I Lazios. Kroati, I rikthyer në Itali, ka firmosur një kontratë deri në vitin 2025 me klubin kryeqytetas, me mundësi rinovimi edhe për një tjetër edicion. Duke qenë se jemi në fazën finale të sezonit, Tudor nuk ka kohë për të humbur, por do të nisë menjëherë nga puna. Sikurse është njoftuar në kanalin zyrtar të Lazios, të Mërkurën, skuadra do të kryejë seancën e parë stërvitore me trajnerin e ri. Më pas, të enjten, ngarkesa do të shtohet, teksa janë programuar dy seanca stërvitore.

Sa I përket ndeshjes debutuese, Igor Tudor nuk mund të ndihet edhe aq me fat, sepse në 30 Mars, Lazio do të presë në shtëpi skuadrën e Juventusit, ndeshje e vlefshme për javën e 30 të Serie A. Mirëpo nuk mbaron me kaq, sepse në 2 Prill, Lazio do të luajë sërish me Juventusin, por këtë herë, ndeshja do të jetë e vlefshme për Kupën e Italisë. Më tej, në 7 Prill, do të jetë derbi ndaj Romës. Në rast suksesi në këto 3 ndeshje të para, Tudor do t’I garantonte vetes një bonus mjaft të mirë për pjesën e mbetur të sezonit.

Interesante mbetet për t’u parë edhe mënyra e lojës do të aplikojë kroati në Olimpico. Përgjatë traditës, ai njihet si një trajner që preferon të luajë me 3 mbrojtës në prapavijë.

Kujtojmë se përpara se të merrte drejtimin e Lazios, më herët, Igor Tudor refuzoi pankinën e Napolit, sepse palët nuk u dakordësuan për çështjen e kontratës.

Sa I përket eksperiencave të mëparshme në Itali, në sezonin 2020/21, ish-mbrojtësi ishte asistent I Andrea Pirlos tek Juventusi, kurse një sezon më pas, mori drejtimin e skuadrës së Veronës.