Padyshim që meritë për ecurinë e deritanishme të Lacios ka edhe Igli Tare, Drejtori sportiv i bardhekaltërve ka folur gjatë mbrëmjes së fundvitit të organizuar nga klubi roman, teksa ka komentuar momentin e shkëlqyer të skuadrës. “Le të shpresojmë që ky të jetë viti i duhur, përderisa është krijuar grupi, që ëndërronim prej kohësh. Në vitet e fundit kemi krijuar premisat për të dërguar këtë klub, aty ku e meriton. Shpresoj që të të vazhdohet me këtë rrugëtim të rëndësishëm, përderisa jemi vetëm në gjysmë dhe mungon ende pjesa më vendimtare”.
Drejtuesi ka pranuar se momenti është i bukur dhe magjik, por duhet kuptuar edhe se rruga për t’u përshkuar është ende e gjatë dhe Lacio duhet të tregohet e zonja, për të vijuar me këto ritme deri në fund. Gjë që natyrisht do të jetë e vështirë.
Sidoqoftë, Tare ka vazhduar të theksojë se skuadra nuk duhet të trembet nga përmendja e fjalës “titull”, por ta përballojë gjithcka me bindje dhe besim, ndonëse duke ruajtur ekuilibrin e pa përfshirë nga entuziasmi i tepruar.
Beteja e radhës është sërish me Juventusin, që Lacio e mposhti përpara dy javësh. Mirëpo këtë herë do të luhet të dielën, për Superkupën e Italisë. “Padyshim që detyra jonë është të sigurojmë edhe këtë trofe. Duhet të fitojmë me Juventusin, pasi mendoj se i zotërojmë të gjitha forcat për të luajtur shanset tona kundër bardhezinjve edhe për këtë finale të Superkupës”, ka përfunduar Tare.