Ide të çmendura te Milani, mendohet për Cavanin ose Ibrahimovic

Sport

fjidujwaeio

Me 9 lojtarë të transferuar, Milani ka shpenzuar deri më sot plot 190 milionë euro duke u bërë një ndër klubet që kanë hedhur më shumë para këtë merkato vere. Por te kuqezinjtë presin një tjetër transferim me emër. Dyshja Fassone e Mirabelli i kanë premtuar tifozëve edhe një sulmues me peshë dhe për këtë të hënën dhe të martën pati goxha spekulime. Pas telenovelës Aubameyang, shtypi italian dhe ai anglez raportuan dy emra të tjerë, Ibrahimovic dhe Edinson Cavani. Sportmediaset shkroi se zyrtarë të Milanit kanë kryer disa sondazhe rreth sulmuesit të PSG. Në Itali analizojnë se transferimi i Neymarit mund ta shtyjë PSG por dhe vetë uruguaianin të kërkojnë lëvizjen. Cavani 4 vite më parë i kushtoi francezëve 65 milionë euro. Ai e njeh mirë kampjonatin Italian pasi më parë ka luajtur për Napolin e Palermon. Në Paris, ai u pa si zëvendësuesi i Zlatan Ibrahimovic, kur ky i fundit u largua te Manchester United. Shifrat treguan se Cavani bëri maksimumin me një mesatare prej 1 gol për ndeshje me një total sezonal prej 49 realizimesh. Alternativa e Cavanit është Ibra. Shtatlarti suedez është pa kontratë dhe në fazë riaftësimi pas një lëndimi të pësuar me Manchester United-in. 35-vjecari ka oferta konkrete nga Shtetet e Bashkuara, por ai kërkon të luajë sërish në Evropë. Këtu shtypi anglez raportoi se Ibra i është ofruar kuqezinjëve,  skuadër me të cilën ai është aktivizuar 5 vite më parë. Në fakt Zlatan është dhe golashënuesi i fundit i Serie-A-së që ka pasur fanellën e Milanit. Vitin 2012-të ai e mbylli me 28 realizime. Mosha bën të veten por Zlatan ka treguar se mbetet i njëjti dhe krahasuar me Cavanin, duket një transferim më i arritshëm.