Icardi tregon skuadrën ku ai do të transferohet, përndryshe qëndron tek Inter

Sport

Mauro Icardi është i vendosur për t’u kthyer revanshin drejtuesve të Inter. Pasi klubi i mori numrin 9, të cilin do e mbajë mbi shpinë Romelu Lukaku, Icardi thuhet se ka hequr dorë nga çdo përpjekje e tij për të rregulluar gjërat. Marotta e ka bërë të qartë se sulmuesi argjentinas duhet të gjejë një skuadër të re brenda kësaj vere, por Icardi ka vetëm një ide për të ardhmen e tij. Pavarësisht ofertave që mund të vijnë nga Napoli apo Roma, 26-vjeçari pranon të transferohet vetëm tek Juventusi, çfarë në fakt nuk është një ide e re për argjentinasin, i cili flitet se edhe më parë ka patur tratativa me kampionët e Italisë. Icardi kërkon të kalojë në Torino dhe nëse Inter nuk pranon ta shesë drejt rivalëve të ‘Serie A’, atëherë sulmuesi do të vijojë të qëndrojë me zikaltërit. Icardi ka edhe 2 vite kontratë me Inter, por ajo që zbulojnë mediat italiane është akoma dhe më interesante.

Në kontratën e argjentinasit është një pikë që e detyron klubin milanez ta përfshirë Icardin në të paktën 10% të ndeshjeve të sezonit. Pra Conte është i detyruar ta fusë sulmuesin në fushën e lojës, ose klubi do të detyrohet të paguajë gjoba të majme, që do të shkojnë të gjitha në llogarinë e Mauro Icardit. Duke ditur situatën në të cilën ndodhen, Interi mendon t’i propozojë Juventus një shkëmbim me Paulo Dybalan, por bardhezinjtë i dinë tashmë problemet në shtëpinë e Interit dhe nuk kanë ndërmend ta pranojnë një ofertë të tillë. Madje thuhet se edhe për Icardin nuk do të ofrojnë më shumë se 25 milionë euro, teksa Interi pretendonte deri pak pak muajsh që sulmuesi argjentinas të shitej për një shifër mbi 80 milionë euro.