Icardi i distancuar nga skuadra, mund të vendosë të…

Sport

Që nga muaji shkurt, karriera e Mauro Icardit po has në një vështirësi që ndoshta argjentinasi nuk e kishte menduar më parë. Nga kapiteni i skuadrës dhe lider i Interit, brenda pak kohësh, Icardi u kthye në ‘delen e zezë’ të zikaltërve. Sulmuesi është jashtë planeve të Antonio Contes, ndërsa Marotta i ka kërkuar të gjejë një skuadër tjetër brenda verës. Mirëpo merkato për argjentinasin nuk ka shkuar siç pritej. Icardi shpresonte shumë në një transferim të tijin tek Juventus, por bardhezinjtë kanë zgjedhur të transferojnë Romelu Lukakun në vend të tij. Për Icardin, interes kishin shfaqur edhe skuadra si Napoli, Roma, Atletico Madrid apo Arsenal, që tashmë janë fokusuar në objektiva të tjerë.

Ndërsa në mediat italiane flitet se tashmë sulmuesi ka vendosur të qëndrojë tek Inter, ndonëse zikaltrit e kanë përjashtuar. Në rast se Icardi do të qëndrojë vërtet tek Inter, atëherë argjentinasi do të vijojë të paguhet sipas kontratës, por stërvitjen me gjasa do t’i bëjë krejtësisht i veçuar nga pjesa tjetër e grupit të lojtarëve. Edhe në fazën përgatitore që klubi milanez zhvilloi në Lugano, Icardi është parë thuajse gjithmonë të stërvitet i vetëm ndërësa pak përpara miqësores së parë, u largua nga grumbullimi për të mos udhëtuar me skuadrën në Azi. Çështja e argjentinasit mbetet ende delikate, por duket se Icardi po përballet me pasojat e asaj që ai vetë krijoi disa muaj më parë, çfarë sigurisht që mund t’i japë një goditje të rëndë karrierës së 26-vjeçarit.