Të gjithë duket se janë dakord që Zlatan Ibrahimovic të rikthehet te Milani, sidomos pas deklaratës që sulmuesi suedez tha dy ditë më parë se do të ishte më e lehtë që ai të rikthehej te Milani se sa Arsene Wenger të bëhet trajneri i kuqezinjve. Dhe sot ka ardhur konfirmimi nga menaxheri i tij Mino Raiola se ky transferim i sulmuesit 37-vjeçar nga LA Galaxy te Milani është plotësisht i mundur.
“E ardhmja e Ibra? Konfirmoj atë që kam thënë deri më tani. Marrëdhëniet e mia dhe të lojtarit me Milanin janë shumë të mira, ndaj gjithçka është e hapur për rikthimin e tij me fanellën kuqezi”, tha Mino Raiola. Por do të jetë lojtari ai që do të thotë fjalën e fundit për një rikthim në Europë, ndërkohë që më pas Raiola do të ulet në bisedime me drejtuesit e LA Galaxy për të zgjidhur kontratën dhe sjellë sërish Ibrahimovic në Milanello. Sipas asaj që spekulohet së fundmi, drejtuesit e kuqezinjve po mendojnë t’i ofrojnë sulmuesit suedez një kontratë 6-mujore deri në fundin e sezonit aktual, me të drejtë rinovimi nga të dyja palët, në rast se Milani do të kualifikohet për në Champions League vitin e ardhshëm. Alternativa të Ibras të kuqezinjtë thuhet të jetë Alexandre Pato. Edhe ky një ish, i cili gjithashtu është shprehur i gatshëm për të bërë një rikthim të tij tek Milani.