Zlatan Ibrahimovic është për momentin një nga golashënuesit më të mirë në kampionatin italian, duke udhëhequr skuadrën e Milanit në ‘Serie A’ me 14 gola në 11 ndeshje. Edhe pse tashmë 39-vjeçar, suedezi vijon ta shijojë kohën e tij në fushën e blertë, e për më tepër, duket se po shtyn që jetë aktiv për të paktën edhe një sezon tjetër. Në fakt, vetë Ibra duket se i ka të qarta idetë e tij për të ardhmen. Veterani ka si objektiv të vazhdojë të luajë me Milanin, pasi kërkon të rikthehen me këtë fanellë në ‘Champions League’. Rinovimi i kontratës me kuqezinjtë duket si një mision mëse i mundur, sidomos pas fjalëve të drejtorit Paolo Maldini, i cili deklaroi se nuk sheh asnjë arsye pse Ibra të mos vazhdojë aventurën e tij me Milanin. Madje shumë mendojnë se arritja e marrëveshjes me sulmuesin është një operacion edhe më i lehtë se sa rinovimi me Donnarumma apo Calhanoglu. Sa i përket pagës së veteranit, ky problem duket se është në plan të dytë dhe palët janë të bindura se do të gjejnë një marrëveshje të kënaqshme. Në një periudhë ku skuadrat në futboll e jo vetëm vazhdojnë të vuajnë pasojat e pandemisë së Covid-19, suedezi është i vetëdijshëm se nuk mund të kërkojë një sforco ekonomike nga ana e klubit milanez. Por duke parë frymën e mirë që kanë palët, të gjitha arsyetimet të çojnë drejt firmosjes së rinovimit.
Pavarësisht moshës, Ibra ka shfaqur një rendiment të shkëlqyer në aspektin fizik dhe këtë e dëshmojnë edhe golat që suedezi vazhdon të realizojë. Për trajnerin Pioli dhe për të rinjtë e skuadrës, figura e tij është mjaft e rëndësishme e frymëzuese, prandaj një largim i Ibras nuk do të ishte një lëvizje e mirë në këtë moment. Në sfidën ndaj Crotones, ku Milani fitoi 4-0, 39-vjeçari ia doli të realizojë një dopietë, duke kaluar zyrtarisht edhe shifrën e 500 golave në rang klubesh.